#Human Rights
Target:
Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
Region:
Albania

Plot 20 vjet më parë u vra dhe iu zhduk kufoma veprimtarit patriot me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës, i lindur në Shkup, Remzi Hoxha.

Vrasja e Remziut në territorin e Shqipërisë nuk ishte një krim ordiner për dy arsye. Remziu ishte një veprimtar i njohur për kontributin e tij në favor të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe jo thjesht një ndërmarrës i suksesshëm në Kosovë që kishte zhvendosur biznesin e vet në favor të Shqipërisë. Remziun nuk e vrau dhe zhduku dikush për ndonjë hasmëri personale, por e zhduku SHIK-u, shërbimi sekret i kohës, udhëhequr zyrtarisht nga Bashkim Gazidede, por realisht nga Presidenti i atëhershëm Sali Berisha.

Këto dy elementë e bëjnë vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, një vrasje shtetërore. Ajo nuk është as vrasje për raison d’etat, për arsye shtetërore. Për arsye shtetërore, Remziu 39 vjeçar duhej të mbështetej, sepse Shqipëria kishte detyrimin të mbështeste luftën çlirimtare të Kosovës, veprimtarët e saj dhe Remziu ishte njeri ndër më kryesorët siç provohet nga shumë burime.

Të gjithë këto pohime për autorët e vrasjes, rrethanat e këtij krimi monstruoz, janë bërë të njohura gjyqësisht, falë punës vetëmohuese të një heroi të shtetit shqiptar, që vdiq parakohe, prokurorit Xhevat Hana. Vrasësit materialë dihen, ashtu dhe frymëzuesit e këtij krimi unik në historinë e pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Dy prej tyre u liruan nën presionin shtetëror, ndërsa njeri prej tyre, Ilir Kumbaro, mundi t’i shpëtonte drejtësisë britanike që duhej ta ekstradonte.

Sot çështja penale në ngarkim të Kumbaros prej vitit 2013, gjendet në Gjykatën e Lartë dhe asgjë nuk dihet, asgjë nuk lëviz që krimineli të përfundojë përjetësisht pas hekurave. Shteti shqiptar, Ministria e Brendshme që duhet të formalizojë kërkesën pranë Interpolit që Ilir Kumbaro të kërkohet botërisht, nuk e ka bërë këtë kërkesë çuditërisht. Por mbi të gjitha veç vendosjes së drejtësisë formale, duhet të vendoset drejtësia morale. Ky veprimtar patriot për të cilin dihet shumë pak, duhet të prehet në një varr, ku familjarët e tij, miqtë e tij, brezat e rinj të kenë mundësi të vendosin një tufë me lule.

Armiku kryesor, që po vret shpresën që Remzi Hoxha të ketë një varr, është koha. Provat zhduken. Afate të caktuara treten. Kujtesa popullore rreth bëmave të tij gjithashtu zvogëlohet. Kriminelët që dinë, që urdhëruan arrestimin e tij, dhunimin e tij, që e heshtën zhdukjen e tij, kanë patur mundësi të rishpikin veten. Qeveritë që i zënë vendin njera tjetrës merren me punët rutinë dhe harrojnë vendosjen e drejtësisë për një krim unikal në historinë e pluralizmit shqiptar.

Për ne familjarët e Remzi Hoxhës, për ne bashkëveprimtarët e tij, e gjitha kjo është një vrasje e dytë e tij.

Për të gjithë këto arsye, bashkohu me ne që Qeveria Shqiptare, që Gjykata e Lartë, që Ministria e Brendshme të bëjnë punën e tyre. Nëse ato e bëjnë saktësisht punën e tyre, atëherë prindi ynë, i afërmi dhe miku jonë do të kenë të paktën një varr. Dhimbja jonë do lehtësohet sadopak për këtë krim të pakuptimtë shtetëror ndaj dikujt që duhej të mbrohej dhe jo të asgjësohej.

Bashkohu me ne në protestën që familjarët, një grup organizativ do të bëjnë në datë 19 tetor (e hënë) në Shkup - SHESHI SKENDERBEU - ora 10:00, në datë 20 tetor (e martë) në Prishtinë - SHESHI SKENDERBEU - ora 10:00, dhe në datë 21 tetor (e mërkurë) në Tiranë - SHESHI SKENDERBEU - ora 14:00.

Ne do mobilizohemi së bashku me qindra bashkatdhetarë në këto tre qendra të shqiptarisë sepse Remziu ishte i të gjithë shqiptarëve.

Mobilizohu dhe ti! Si fillim, firmose këtë peticion, që e vërteta rreth Remziut të mos harrohet; që drejtësia të bëhet; që ai si gjithë qeniet njerëzore të ketë një banesë të fundit ku të prehet përjetësisht.

GoPetition respects your privacy.

The Peticion për zbardhjen e vrasjes së veprimtarit patriot Remzi Hoxha 20 vjet më parë, në 21 tetor 1995 petition to Qeverisë së Republikës së Shqipërisë was written by Ardian Hoxha and is in the category Human Rights at GoPetition.